Në kuadër të projektit pranë të pranishmëve ligjëruan z. Shkodran Ramadani, i cili u fokusua tek shenjat e para të radikalizmit dhe ekstremizmit fetar, dhe eksperti i Policisë z. Florim Shatrolli, i cili foli për përvojat e policisë në identifikimin dhe parandalimin e hershëm të individëve dhe grupeve të radikalizuar me prirje terroriste. Në mesin e të pranishmëve, ishte edhe koordinatori i mekanizimit referues në komunën e Gjilanit z. Fadil Kajtazi bashkë me bashkëpunëtor të tij, i cili me të pranishmit ndau përvojat e këtij Mekanizmi në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, i cili mund të shpie në terrorizëm. Në debatin e hapur, të pranishmit dhanë disa propozime dhe sugjerime. Nga disa prej tyre, mund të veçohet propozimi i njërit nga asamblistët i cili tha, se do të ishte shumë e dobishme sikur në të ardhmen të organizoheshin takime të tilla vetëdijesuese edhe nëpër xhami, aty edhe predikohet për fenë islame, e sidomos në rrethet dhe zonat e caktuara ku elemente me prirje radikale dhe ekstreme janë më të përqendruara. Në të tilla trajnime do të ishte mirë që të merrnin pjesë ekspertë të kësaj fushe sikur edhe sot këtu, bashkë me pjesëtarë edhe të policisë. Nga të pranishmit po ashtu doli propozimi unanim, se në parandalimin afatgjatë të ideologjisë ekstreme të ngjyrosur me fenë islame e cila mund të çoj në radikalizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm duhet të ketë bashkëpunim më të ngushtë me organet e BIK-së. Asamblistët si dhe pjesëmarrës tjerë të shoqërisë civile në Komunën e Gjilanit, me këtë rast u ndanë shumë të kënaqur me performancën profesionale të referuesve të angazhuar nga ana e SPRC-së.